Moratti: I bëmë blerjet e duhura
Interi ka programuar edhe 2010-ën kur do të vijë Koutinjo dhe një mbrojtës i ri
Interi është shndërruar në një makineri perfekte edhe jashtë fushe. Një merkato kryevepër i ka lejuar kampionët e Italisë të zëvendësojnë në pak javë largimin më të madh të ekipit, Zllatan Ibrahimoviç, “padron” i Interit në tre sezonet e fundit.
Objektivat e përcaktuar nga Mourinjo u përmbushën në çdo repart. Donte një mbrojtës dhe një mesfushor qendre, një fantazist dhe të paktën dy të mëdhenj në repartin e avancuar për të zëvendësuar Ibrën: dhe ja ku është kapiteni i Brazilit (Lusio), mesfushori më i mirë i sezonit të kaluar (Tiago Mota), boshti i kombëtares hollandeze (Shnajder), golashënuesi i dytë më i mirë i sezonit të kaluar në Serinë A (Milito) dhe ai që cilësohet nga të gjithë mbrojtësit si sulmuesi më i mirë në botë (Samuel Eto).
Mund të shkonte më mirë se kaq? Tashmë e ardhmja është e përcaktuar, por ajo që e bën Interin një makinë perfekte është programimi. Skuadra ka një drejtim të përcaktuar mirë edhe në merkaton e ardhshme. Në planet e ardhshme të zikaltërve është Filipe Koputinjo Korreira, i njohur ndryshe si Koutinjo, i datëlindjes 1992, fantazist i Vasko de Gamës.
Do të largohet Vieira, kontrata e të cilit skadon qershorin e ardhshëm. Por gjithashtu, do të vijë edhe Himenez nga Uest Hem. Në lidhje me maqedonasin Pandev, Mourinjo e do në skuadër në janar për të zëvendësuar kamerunasin Samuel Eto, i cili në fillim të vitit tjetër do të lërë Milanon për t’iu bashkuar kombëtares së tij në Kupën e Afrikës. Pandev pëlqehet për shumë arsye: bie në sy aspekti teknik, por edhe mosha e tij e re (datëlindja 1983) dhe në fund fakti që ai ka dalë nga radhët e të rinjve të Interit. Në listën e ardhshme për Ligën e Kampionëve, mund të figurojnë emra që kanë dalë nga ekipet zinxhir, si Orlandoni, Santon, Baloteli dhe së fundi Pandev.
Avantazhet janë të dukshme. Operacioni nuk do ta kalojë shifrën e 4 ose 5 milionë eurove, pasi Pandevit i skadon kontrata. Në fakt, sezonin e ardhshëm, i vetmi investim i konsiderueshëm nga pikëpamja ekonomike është parashikuar për disa mbrojtës qendre të rinj. Në objektivin zikaltër është Simon Kjaer, i datëlindjes 1989. Klauzola e futbollistit danez të Palermos është 12 milionë euro. Pastaj është edhe ganezi me kombësi gjermane Zherom Boateng, 21 vjeç, i spikatur tek Hamburgu, kampion i saposhpallur i Europës për 21-vjeçarët. Ndërkaq, Morati kënaqet. Ai mund të shikojë me optimizëm drejt të ardhmes, si teknikisht, ashtu edhe ekonomikisht.

