Mourinho: Shpresoj që Guardiola do të kënaqet duke pushuar dhe i dërgoj një përqafim të madh atij!

Trajneri portugez i ka befasuar të gjithë kur u paraqit në konferencën për shtyp para ndeshjes me Bilbaon, ndërsa ka treguar respekt të veçantë për Pep Guardiolën i cili do të largohet nga Barça.
Jose Mourinho ka uruar Pep Guardiolën i cili ditë më parë zbuloi që do të largohet nga Barcelona në fund të sezonit.
Mourinho ka bërë një befasi të madhe duke u paraqitur në konferencën për shtyp, ndërsa sipas zëdhënësit të tij arsyeja e pjesëmarrjes së portugezit në konferencë ishte Dita Ndërkombëtare e Punës.
“Nuk kam çfarë të them për Guardiolën. Është vendimi i tij. Kur na shkarkojnë, ne [trajnerët] meritojmë solidaritet, ndërsa në të shumtën e rasteve duhet të kritikohen klubet, por rasti i Guardiolës është krejt ndryshe” deklaroi Mourinho.
“Është vendim personal, ai e di çfarë bënë. Ai e tha atë që mendonte që është më e lumtur për të. Kjo është arsyeja pse nuk duhet të jemi kundër një veprimi të dikujt. Më e rëndësishmja është që ai është i lumtur me vendimin që ka marrë.”
“Unë jam trajner qe 12 vite por unë ndihem i lodhur vetëm në Qershor kur nuk kam ndeshje për të luajtur dhe seanca stërvitore. Mirëpo nuk jemi të njëjtë të gjithë, duhet ta pranojmë këtë. Shpresoj që Guardiola të kënaqet me pushime dhe unë i dërgoj atij një përqafim të madh nga këtu” vazhdoi Mourinho.
Mourinho më pas u pyet për vendimin e Barçës për ta emëruar Tito Vilanovën në vend të Guardiolës, por ai preferoi të fokusohej te ekipi i tij.
“Real Madridi është Real Madrid. Ata [Barcelona] marrin vendimet e tyre. Vendimi im për të vazhduar me Realin nuk ka të bëjë me atë se kush i drejton kundërshtarët e mi. Real vazhdon tutje, e kështu bënë edhe Barça. Nuk besoj që Barcelona nuk ka persona me aftësi për të marrë vendime se kush duhet të jetë në drejtim të stolit.”
“Nëse ata kanë vendosur që Vilanova do të jetë trajneri i ardhshëm, jam i sigurt që ata e kanë marrë vendimin me plotë besim. Nga ana ime, unë kam respekt për ata edhe e di që tani se ata do të jenë rivali ynë më i madh edhe sezonin tjetër.”

