Mario Balotelli: Kjo ishte nata më e mirë në karrierën time!
Sulmuesi kontravers ishte i ekzaltuar me dy golat e shënuar ndaj Gjermanisë, ndërsa beson që azurët mund të mposhtin edhe Spanjen
Balotelli, i cili kritikohet shumë nga mediat për sjelljet e tij në fushë dhe jashtë saj shënoi dy gola në gjysmëfinale përballë Gjermanisë, duke i siguruar azurëve një vend në finalen e madhe të Kievit.
“Kjo ishte nata më e mirë në karrierën time, por shpresoj që e Diela të jetë edhe më e mirë” deklaroi Balotelli pas ndeshjes.
“Golat ia dedikoj mamasë sime e cila është e moshuar dhe më ndoqi nga stadiumi. Jam i lumtur sepse dëshiroja të shënoja për të. Të Dielen në stadium do të jetë edhe babai im kështu që dua të shënoj përsëri.”
Italia në finale do të përballet me Spanjen, skuadër kjo me të cilën ndanë pikët në ndeshjen e parë në grupe, ndërsa Balotelli thotë se ata do të mësojnë prej gabimeve nga ndeshja e parë.
“Nuk kemi pse të frikësohemi nga Spanja. E dimë si luajnë ata, e dimë se mund ti mposhtim. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe ti presim sepse ata luajnë me shumë pasime, por e di që mund të fitojmë.”
“Golashënuesi më i mirë në Euro 2012? Nuk e di, do më pëlqente të shënoj në finale. Por nuk më intereson se si luaj në finale, dua vetëm që ta fitojmë atë” përfundoi Balotelli.


