Granit Xhaka nuk do të luaj në ‘Londra 2012′
Borussia Monchengladbach ka arritur marrëveshje me Federatën Zvicerane të Futbollit që e lejon blerjen e tyre të re të luaj me klubin në kualifikimet për Ligën e Kampionëve.
Drejtori sportiv i Monchengladbach, Max Eberl, ka zbuluar akordin e arritur midis klubit dhe federates zvicerane.
“Një kompromis është arritur midis klubit dhe Federatës Zvicerane të Futbollit që Granit Xhaka të mos jetë pjesë e skuadrës për Lojërat Olimpike ‘Londra 2012′, por ai do të grumbullohet me kombëtaren zvicerane për ndeshjen e 15 Gushtit përballë Kroacisë” deklaroi Eberl.
“Ky vendim nuk është i mirë vetëm për Borussian por edhe për Granitin. Ne besojmë se kemi gjetur një kompromis të mirë. Është me rëndësi që Xhaka të jetë në pregatitje me skuadrën e tij të re para fillimit të edicionit të ri, por e rëndësishme është edhe karriera e tij me kombëtaren prandaj ai do të jetë i lirë për ndeshjen ndaj Kroacisë” përfundoi Eberl.


