Home » Futboll »

Mourinho: Tani më thërrisni ‘I Vetmi’!

 

Tekniku 49-vjeçar ka deklaruar se tani atë duhet ta quajnë ‘I Vetmi’, duke u bazuar në titujt që ka fituar gjatë karrierës së tij

Jose Mourinho mendon që tani ai duhet të njihet si ‘I Vetmi’ dhe jo si ‘I Veçanti’, pasi u bë trajneri i parë që ka fituar ato që njihen si tri Ligat më të forta në Europë.

Duke folur për kanalin televiziv portugez SIC, Mourinho deklaroi se ai është më pak egoist dhe se nuk i interesojnë më trofetë personal, pas gjithë atyre sukseseve që ka arritur në karrierë.

“Gjërat kanë shkuar mirë për mua, falë Zotit. Tani më shumë jam i fokusuar tek të tjerët. Ishte kënaqësi kur fitova me Interin, një klub i cili nuk kishte fituar 50 vite, që fitonte përsëri. Kjo është ajo që më kënaq më shumë se sukseset e mia individuale” deklaroi Mourinho.

Trajneri portugez ka fituar vitin e kaluar titullin në La Liga me klubin e tij aktual Real Madrid, dy herë titullin në Serie A me Interin, dy herë Premier Ligën me Chelsean dhe dy herë Ligën Portugeze me Porton, e mbi të gjitha ka fituar edhe Ligën e Kampionëve me Porton dhe Interin.

“Ju pëlqen apo jo, unë jam i vetmi që kam fituar tri Ligat më të forta në Europë. Andaj mendoj që njerëzit në vend të ‘I Veçanti’ duhet të nisin të më thërrasin ‘I Vetmi’” tha Mourinho.